Prokurori Mathias Marcussen i kërkoi gjykatës së Hagës përmbysjen e vendimit për ta lënë të lire Vojisllav Sheshelin dhe kërkon dënimin e tij me 28 vjet burg, ose një rigjykim të çështjes.

Ultranacionalisti serb akuzohet për krime kundër popullatës joserbe në Kroaci, asaj në rajonin serb të Vojvodinës e në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë luftrave të viteve ‘90.

Me Sheshelin, drejtësia nuk është vënë në vend deklaroi Marcussen. Nëse vendimi i dhënë qendron, atëherë ai nuk do të jetë vetëm një fyerje për viktimat, por do të minojë edhe besueshmërinë e kësaj gjykate, shtoi prokurori. Lideri i partise Radikale Serbe u lirua në 2014-tën për trajtim mjekësor kundër kancerit, por pas kësaj refuzoi të largohej nga Beogradi dhe këmbëngul që kërkesa e apelit të hidhet poshtë, e shfajësimi i tij të bëhet fakt.

Prokurori që e ka vënë në shënjestër argumenton se juria e procesit të parë gjyqësor nuk i ka rishikuar asokohe provat mbi krimet e kryera në Bosnje Hercegovinë e Kroaci e për shkak të një gabimi të tillë, u arrit në përfundimin e gabuar se Shesheli nuk ka qënë pjesë e sipërmarrjes së përbashkët kriminale synimi i të cilës ishte dëbimi i joserbëve nga të dyja këto dy vende.

Marcussen insiston të tregojë se gjykatësit nuk i analizuan dëshmitë e deportimeve në masë dhe shpërnguljen e detyruar të qytetarëve joserbë, nisma këto në të cilat është plotësisht i bindur se dhe lideri ultranacionalist ka marrë pjesë.

Gjykata pat pohuar atëherë se krijimi i një Serbie të madhe ishte objektivi politik i Sheshelit, por kjo sipas saj, nuk nënkuptonte dhe kryerjen e krimeve çka bëri që marsin e 2016-tës, 63-vjeçari të lirohej nga akuzat.

 

Top Channel