Rekorde, pikë, gola…rruga e Man. City drejt titullit

14/12/2017 17:49

Për të ritheksuar ambicien dhe grintën që e karakterizon skuadrën e tij këtë sezon, Pep Guardiola i cilësoi “kafshë” futbollistët e Manchester Cityt, që këtë të mërkurë kompletuan një tjetër rekord me fitoren e 15 radhazi.

Armata e “Citizens” është kthyer në favoriten numër një për titullin, edhe pse Premier League është një kampionat i ashpër dhe do të duhet ende punë deri në maj.

Por, ajo çfarë thekson superioritetin e skuadrës së sheikut Mansour janë statistikat monstruoze. Progresi i Manchester Cityt këtë sezon ka qenë me 52 gola të shënuar në thuajse të gjitha mënyrat e mundshme. Pikërisht kjo ka kontribuar që kryesuesit ta shohin tashmë veten 11 pikë më shumë sesa Manchester United, ndjekësi më i afërt.

Sergio Aguero, që ndan rolin e sulmuesit kryesor së bashku me Gabriel Jesus, ka shënuar 10 gola. Plot 9 mbajnë për autor Raheem Sterling dhe nga 8 secili kanë Jesus dhe Leroy Sane.

Por më shumë sesa të gjithë në repartin ofensiv, e madje në të gjithë kampionatin, ka spikatur Kevin De Bruyne. Asistet e tij vlejnë miliona dhe pikë për Manchester Cityn, mjaftueshëm që ta nxjerrin skuadrën e Guardiolës nga hija e rivalëve të kuq, që ishin mësuar në dekadat e fundit.

Manchester City ka mbledhur pikë këtë sezon, më tepër sesa në të gjithë fushatat e tyre në vitin ’96, atë 2000, në vitin 2004 dhe dy vitet që pasuan.

Saktësisht 13 prej golave të Manchester Cityt kanë ardhur në çerekorëshin e fundit të lojës, gjë që kanë sjellë fitore dramatike, por tregojnë gjithashtu presionin e jashtëzakonshëm nën të cilin, formacioni i Pep Guardiolës i vendos rivalët.

Top Channel