Putin: Kundërshtarët e Trumpit po dëmtojnë vet Shtetet e Bashkuara

14/12/2017 19:13

Presidenti rus akuzoi kundërshtarët e homologut të tij amerikan, Donald Trump, se po dëmtojnë Shtetet e Bashkuara duke shpikur histori për kontaktet me Rusinë.

Gjatë konferencës së tij të përvitshme për shtyp, Vladimir Putin tha se kontaktet mes ekipit “Trump” dhe zyrtarëve rusë para zgjedhjevë të vitit të shkuar ishin fare normale.

Kreu i Kremlinit shtoi se opozita amerikane, me qëndrimin e saj nuk po respekton ata që zgjodhën Trumpin president.

Drejtuesit e fushatës së Trumpit po hetohen në SHBA për bashkëpunim me Rusinë, hetim i shtyrë edhe nga raporti i agjencive amerikane të inteligjencës, që thanë se Moska tentoi të ndikonte te zgjedhjet presidenciale në favor të Trump.

Rusia dhe vet Putin i kanë mohuar akuzat.

“Gjithçka është shpikur nga ata që janë në opozitë me presidentin Trump, që ta bëjnë punën e tij të duket jo e ligjshme”, deklaroi Putin.

Presidenti rus tha se i njeh homologut të tij amerikan disa arritje vërtet serioze, por shtoi se ai ende nuk ka qenë në pozicionin për të përmirësuar raportet me Rusinë. Putin shprehu shpresën se kjo do të ndodhë, e tha se Rusia së bashku me SHBA-të mund të bëjnë shumë gjëra në mënyrë vërtet efektive.

Top Channel