Kuotat për emigrantët, Tusk: Ndarëse dhe joefektive

14/12/2017 17:22

Udhëheqësit e Bashkimit Europian janë thellësisht të ndarë për sa i takon skemës së kuotave të strehimit të emigrantëve, ndërsa mblidhen në Bruksel për samitin e radhës.

Kreu i samitit, Donald Tusk irritoi së tepërmi një komisioner të BE-së dhe disa zyrtarë të tjerë, kur tha se kuotat e detyrueshme nuk janë efektive, por shumë ndarëse.

Kreu i Këshillit Europian tha se çështja e emigracionit ka ndarë BE-në mes Lindjes dhe Perëndimit, e sipas tij, këto ndarje forcohen nga emocionet që e bëjnë të vështirë gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Por, komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos e quajti pozicionin e Tuskut të papranueshëm dhe antieuropian.

Axhenda e Këshillit Europian, që Tusk drejton, bën thirrje për një marrëveshje të BE-së deri në qershor, që të lehtësojë barrën e rëndë të krizës së emigrantëve, që mbahet nga vendet e Mesdheut.

Tërthorazi, kjo pikëpamje është mbështetur edhe nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila nxiti unionin që të tregojë solidaritet për këtë problem, ndërsa shtoi se sistemi aktual i azilit nuk funksionon.

Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia i kanë refuzuar kuotat e detyrueshme të BE-së për emigrantët, e për këtë Komisioni Europian i ka paditur në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Sipas analistëve, qëndrimi i Tuskut i hap mjaft probleme BE-së në këtë kuadër, pasi ai praktikisht e ka hedhur poshtë planin e unionit për emigrantët.

Top Channel