Debati për Jeruzalemin, Shehu: Kundër SHBA; Bushati: Ne, si BE

14/12/2017 19:59

Pjesëmarrja e Shqipërisë në samitin e Organizatës për Bashkëpunimin Islamik, që shpalli Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e Palestinës dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndjekë hapat e saj, solli debate edhe në Tiranë.

Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu e cilësoi këtë veprim si një qëndrim antiamerikan.

“Ambasadori ynë atje merr pjesë dhe miraton një rezolutë thellësisht antiamerikane, ku iu kërkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mos jenë më ndërmjetës për zgjidhjen e çështjes së Lindjes së Mesme. Një rezolutë që është shumë larg çdo rekomandimi dhe vet politikës së Bashkimit Europian”, deklaroi deputeti demokrat Tritan Shehu.

Por ministri Bushati rikujtoi se, ndër vite Shqipëria nuk ka marrë pjesë në këto takime në nivel politik, por në nivel ambasadorësh. Ndërsa artikuloi për herë të parë edhe qëndrimin e Shqipërisë lidhur me Jeruzalemin.

“Është i njëjti qëndrim që Shqipëria ka mbajtur në OKB, me 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit, rezoluta detyruese që bëjnë referencë te viti ’67. Me linnjëzimin tonë në politikën e jashtme 100% me atë të Bashkimit Europian”, deklaroi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Shqipëria është anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që prej vitit ’92. 57 anëtarët e organizatës, mes të cilëve edhe Shqipëria, përmes një deklarate të përbashkët thanë se mbeten të angazhuara për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse me formimin e dy shteteve, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës.

Izraelitët e pushtuan Jeruzalemin në vitin ’67, por sovraniteti i Izraelit mbi Jeruzalemin nuk u njoh asnjëherë ndërkombëtarisht.

Top Channel