Klima për zgjidhjen e çështjes së emrit është përmirësuar, si te pala greke, ashtu edhe tek ajo maqedonase. Kështu u shpreh në Bruksel ndërmjetësuesi i OKB-së, Metthew Niemitz.

Ai konfirmoi se takimi i palëve, pas 3 vitesh pushimi, nuk ka përfunduar me ndonjë propozim të ri dhe se nuk pritet ndonjë emër magjik, por vuri në dukje qëndrimin më pozitiv të tyre për t’i dhënë fund ngërçit fqinjësor.

“Atmosfera dhe dialogu mes qeverive zhvillohet pa irritime serioze. Mendoj se atmosfera është e përkryer. Ka fleksibilitet të mjaftueshëm për gjetjen e një vendimi të pranueshëm për të dyja palët”, vlerësoi Niemitz.

Edhe pse palët kundërshtuese ballafaqohen me shumë sfida, ndërmjetësuesi i OKB-së thotë se do t’i intensifikojë negociatat në 3 muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi më herët se ishin më pranë se kurrë gjetjes së një zgjidhjeje me Greqinë. Edhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras tha në Beograd se, në vitin 2018 do të ketë lëvizje pozitive në lidhje me çështjen e emrit, në qoftë se – siç thotë ai, – Shkupi vendos të ndërmarrë hapa pozitivë në këtë drejtim.

“Maqedonia e Re” është propozimi për të cilin do të bisedohet në Bruksel, pohojnë disa prej medieve greke. Gjithnjë sipas tyre, propozimi fillestar grek ka qenë “Maqedonia e Vardarit”, por tani ka një rikthim te propozimi “Maqedonia e Re”, i parashtruar në vitin 1992.

Por Zaev i hedh poshtë këto pretendime, e thotë se palët nuk kanë arritur deri aty, sa të flasin për propozime.

Top Channel