55 vjeç “Sami Frashëri”

14/12/2017 20:08

Gjimnazi “Sami Frashëri”, i cili për shumë vite është shpallur i pari në listën e shkollave të mesme të republikës, festoi 55-vjetorin, duke kulmuar me një mbrëmje gala, që bëri bashkë mësues dhe nxënës, me emërues “samista”.

“Ishim të gjithë bashkë në festën e sotme. Mësues e ish-mësues, drejtues e ish-drejtues… emëruesi i përbashkët ishte Sami Frashëri”, u shpreh drejtoresha e shkollës, Teuta Dobi.

Një histori e pasur me nxënës të shumtë. Shkencëtarë, politikanë, artistë dhe sportistë janë ata që kanë krijuar reputacionin e rëndësishëm të kësaj shkolle.

“Sot na kanë ardhur dy njoftime për dy nxënësit tanë që kanë marrë medalje të artë në universitete në botë. Gjithashtu, nga gjimnazi jonë ka dalë pjesa më e madhe e politikanëve”, shton Dobi.

Gjimnazi u themelua në vitin shkollor 1962-1963, pasi u shkëput nga shkolla 11-vjeçare “10 Korriku”. Ndërsa sot, nxënësit e këtij gjimnazi e ndiejnë privilegj të jenë pjesë e kësaj shkolle të madhe, por që pati fillesat vetëm me 800 nxënës dhe një numër të vogël mësuesish.

Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” kanë konkurruar dhe kanë dalë fitues në olimpiada në vende të ndryshme të Evropës dhe SHBA.

Top Channel