“Yjet e së ardhmes” është një film që i kushtohet moshës së tretë. Një shtëpi të moshuarish që i sjell banorët e saj në një komedi romantike muzikore.

Skenari i Uli Bree, përshtatur për publikun tonë nga regjisori dhe producenti Edmond Topi, është një temë universale, që ëndrrat i përkasin çdo moshe, por që, sipas regjisorit, koha e çmendur e rinisë së këtyre të moshuarve i ka ndalur t’i jetojnë ato.

“Ky film nuk do të ishte realizuar nëse nuk do të ishte bujaria e kastit të aktorëve, të cilët pa bërë asnjë bisedë financiare morën materialin dhe thanë “PO”. Secili ka një histori, diçka i është mbytur në diktaturë”, thotë Edmond Topi.

Një kast i jashtëzakonshëm aktorësh, i përbërë nga Gazmend Paja, Elia Zaharia, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Ema Andrea etj., transmetojnë një mori emocionesh në një himn dashurie për jetën.

“Këta legjenda, edhe në jetën e tyre private janë gazmorë dhe kanë ëndrra”, shprehet Gazmend Paja.

“Është një rol me shumë plane, që ka patur vështirësitë e veta, por unë jam ndjerë e bekuar me stafin që më ka rrethuar”, tha Elia Zaharia.

“Yjet e së ardhmes”, më së shumti i ndërtuar me vërtetësi, por edhe si një film për publikun e madh dhe jo për festival, e ka premierën këtë të mërkurë dhe do të vijojë më pas të shfaqet jo vetëm në të gjitha kinematë e kryqytetit, por do të ketë turne edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Top Channel