Tensione pas ndeshjes së Kupës, Tirana denoncon dhunën policore

13/12/2017 18:41

Kupa e Shqipërisë ka regjistruar tension në një prej ndeshjeve të kthimit, pasi në Shkodër u duk se policia i tejkaloi kompetencat.

Pas përfundimit të ndeshjes Vllaznia-Tirana ka pasur një situatë të tensionuar mes futbollisteve të të dy ekipeve në dhomat e zhveshjes.

Lidhur me këtë, tranjeri i Tiranës Ze Maria është shprehur se futbollistët bardheblu janë goditur nga forcat e rendit.

“Kishte tension në rrugën drejt dhomave të zhveshjes. Pati përplasje mes forcave të policisë dhe disa lojtarëve tanë. Policia është këtu për të mbrojtur futbollistët dhe stafin, e jo të godasë nga njëra anë në tjetrën. Një prej agjentëve goditi një futbollist dhe kjo nuk mund të ndodhë”, tha Ze Maria.

Drejtuesit e klubit organizator, ndërkohë, mbrojtën tezën se gjithçka ishte “Fair Play”, si brenda, ashtu dhe jashtë fushës.

“Në tension patjetër ishin të gjithë, por jo i provokuar nga klubi Vllaznia, as nga klubi Tirana, por për mendimin tim i provokuar nga dëshira për rezultat që kishin të dyja skuadrat dhe mosadministrimi ndoshta siç duhet i kohës së ‘fair play’-t, që duhet të shërbejë për të qetësuar gjërat e jo për t’i përkeqësuar”, tha Eugent Zeka, drejtor sportiv i Klubit Vllaznia.

Sipas dëshmitarëve në stadiumin “Loro Boriçi”, mediet u nxorën jashtë korridoreve në zonën e përzierë, ndërsa mes lojtarëve që vuajtën dhunën ishte edhe braziliani i Tiranës, Uellison.

Top Channel