“Luaj Tirana”, një nga nismat e bashkisë është ndalur në Parkun e Liqenit, ku është shtuar kënd i ri force dhe një modul lojërash për fëmijët PAK.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi si fantastike punën e bërë për ndërtimin e këndit të forcës dhe theksoi se për herë në Tiranë janë hapur më shumë hapësira sportive dhe argëtuese, se sa kafe e bingo.

“Më vjen mirë që, në fakt, jemi futur në një garë, ku për herë të parë në mbyllje të këtij viti, në Tiranë, janë hapur më shumë hapësira sportive, argëtuese dhe për fëmijë në natyrë, se sa janë hapur kafe e bingo. Besoj se ky është mesazhi që japim dhe kjo nuk bëhet me predikime, por bëhet kur qyteti të jep një alternativë”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës parashikon që edhe për vitin 2018 të vijojë puna për përmirësimin e infrastrukturës në kryeqytet dhe për krijimin e hapësirave çlodhëse për të gjitha grupmoshat.

“Këto dy vite na mësuan një gjë: Kur ne shqiptarët e ndajmë mendjen për punë dhe kur bashkojmë gjithë energjinë, Bashki, qeveri, agjencitë tona, kompanitë private, të gjithë ata që janë bujarë dhe duan të japin diçka, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Plani është që edhe në 2018 të vijojmë me këtë ritëm dhe në fakt jemi në një fazë ku po garojmë me veten tonë dhe po mundohemi që viti ynë i ardhshëm të jetë më i mirë se ky vit”, tha ai.

Veliaj deklaroi se dy vite më parë i gjithë ky transformim ishte i paimagjinueshëm, ndërsa siguroi se dy vitet e ardhshme do të jenë edhe më të mira për kryeqytetin.

Këndi i ri i forcës në zonën e Parkut të Liqenit ofron mundësinë e ushtrimit me mjete profesionale për frekuentuesit e parkut. Këndi ka 6 module force të veçanta, përfshi paralele e mjete të tjera stërvitje dhe rrethohet me një pistë vrapimi.

 

Top Channel