Ekonomia shqiptare përfitoi mbi 1.3 miliardë euro të ardhura bruto nga turizmi në 9 muajt e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se turizmi vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke qenë një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë gjatë dy viteve të fundit.

Sipas shifrave të publikuara në bilancin e pagesave, për periudhën janar-shtator të këtij viti, të ardhurat nga turizmi u rritën 13 për qind, nga 1.16 miliardë euro që ishin në nëntëmujorin e vitit të kaluar në 1.31 miliardë euro për nëntë mujorin e këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë të vitit, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 588 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme.

Por rritja e turizmit nuk është vetëm në kahun hyrës. Edhe shqiptarët janë duke shpenzuar më shumë në udhëtime jashtë shtetit. Sipas Bankës së Shqipërisë në 9 muajt e parë të vitit, shpenzimet e shtetasve shqiptare për udhëtime jashtë ishin 973 milionë euro.

Kjo bën që kontributi neto i turizmit për ekonominë shqiptare, pra diferenca mes të ardhurave që hyjnë nga jashtë dhe shpenzimeve që shqiptarët bëjnë në vendet e tjera të jetë rreth 340 milionë euro, çka sërish mbetet një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë.

Top Channel