Shndërrimi i bunkerëve; sot përdoren për art, turizëm…e shtëpi

12/12/2017 19:57

Gjatë viteve 1970-1983, në Shqipëri u ndërtuan rreth 750 mijë bunkerë, struktura betoni dhe çeliku, si një sistem fortifikimi i shpërndarë në territor.

“Byroja politike, Partia e Punës në atë kohë e pa të arsyeshme të ngrinte një linjë fortifikimi përgjatë të gjithë linjës bregdetare, por edhe në brendësi të Shqipërisë për t’u mbrojtur nga armiku, nga sulmet e mundshme që mund t’i vinin Shqipërisë në kuadër të konfliktit, të përplasjes midis Lindjes dhe Perëndimit. Statistikat e sotme janë të vështira për të gjetur numrin ekzakt të bunkerëve që i mbijetuan si të thuash atij regjimi”, thotë historiania Enriketa Papa Pandelejmoni.

27 vjet pas vendosjes së pluralizmit, simbolet e komunizmit ende jane të pranishme aty-këtu.

Njerëzit kanë rivalizuar në fantazi, me përshtatjen që u kanë bërë bunkerëve: për biznes, si vepra arti, por edhe shtëpi banimi, nga familje në nevojë. Familja Noka jeton në një të tillë prej 14 vjetësh, pasi u zhvendos nga Kukësi në drejtim te Shkozës.

“S’kishim mundësi të tjera. Burrin pa punë, vetë pa punë, tre kalamaj , kushte s’kishim dhe vendosëm të qëndrojmë këtu. Çfarë ka rënë jashtë, ka pikuar, është futur brenda shiu. Nuk kam si ta paguaj qiranë, 57 mijë lekë marr ndihmë ekonomike. Me thonë a ke lagështi në shtëpi se i çoj fëmijët javë për javë për vizitë”, thotë Shadije Noka.

Disa dhjetëra kilometra nga Shkoza, në Bajzë të Shkodrës, Pjerin Gjekaj e ka përshtatur bunkerin si studio tatuazhesh.

“Meqë janë pse të mos i shfrytëzojmë për diçka, se duhet me siguruar jetesën. Ishte bunkeri tek toka dhe vendosa me e shfrytëzu. Të bëj diçka me të. Praktikisht, më vinte dora për atë zanat dhe hajd thamë ta provojmë njëherë të punojmë. Kisha punuar edhe me përpara në vende të tjera dhe llogarita ta provoj edhe këtu se mos ecën”, tregon Pjerin Gjekaj.

Në 15 vite që shfrytëzon këtë bunker si studio i ka rastisur të takojë me qindra turistë, të cilët përveçse kanë bërë foto para bunkerit, nuk kanë ngurruar të bëjnë edhe tatuazhe me simbole shqiptare.

“5-vjeçarin e fundit kanë ardhur shumë turistë, për cdo vit ka edhe më shumë. Ata thjesht vijnë se shohin bunkerin pastaj pyesin, por diçka interesante i duket. Një gjë simbolike bëjnë ndonjë punim të lehtë, diçka për shpejt. Bëjnë ndonjë foto, rrinë dhe ikin në punë të vet”, thotë Pjerini.

Në Golem, pronarët e një resorti kanë preferuar t’ia përshtasin ambientit.

“Kur ne i pamë bunkerët , ata ishin të lënë në mëshirë të fatit, ishin prishur pak. Ne menduam që t’i bënim një rrethrrotullim, t’i pastronim, i bëmë me bojë dhe ndriçim për natën. Të gjithë turistët e jashtëm kur vijnë i shikojnë bëhen kuriozë, pyesin për çfarë kanë shërbyer. Tregojnë një pjesë të historisë së vendit tonë”, thotë Silvia Sula.

Bunkerë ka nga Veriu deri në Jug, me përmasa të mëdha ose të vogla, të ndërtuar për të njëjtin qëllim, megjithëse shumë prej tyre janë prishur, e hekuri është shitur për skrap.

“Sot bunkerët janë parë si një element turistik për t’u përdorur nëpër guida të ndryshme të vendit me karakter turistik në Shqipëri dhe për t’u dhënë informacion të huajve që vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Janë objekte atraktive në momentin që ato në njëfarë mënyre transformohen”, thotë historiania Enriketa Papa Pandelejmoni.

Xhemal Arapi është një nga ata që bunkerin e ka shndërruar në destinacion turistik. Shpesh turistët që shkojnë drejt Apollonisë bëjnë një ndalesë në Dërmenas të Fierit, te prona e Xhemal Arapit.

“Këtu rri tërë ditën unë se vijnë turistët nga tërë bota, nga Gjermania, nga Anglia, nga Franca, nga Amerika, nga Holanda, nga Italia. Nuk i prish sepse unë shikoj tërë botën këtu. Nuk kam nevojë të shkojë në botë unë, sepse mua e gjithë bota më vjen këtu”, thotë ai.

Ideja më e çmendur ishte ajo disa studentëve gjermanë në 2012-ën, për t’i shndërruar bunkerët e Tales në Lezhë në bujtina. Por kjo nismë, rezultoi e pasuksesshme.

Top Channel