Ishulli vullkanik, më jetëgjatë nga sa parashikohej

12/12/2017 14:04

Shkencëtarët menduan se ai do të rezistonte vetëm pak muaj, por ishulli i ri i Tongës, i krijuar nga hiri i një shpërthimi vullkanik të vitit 2014 në Paqësorin e Jugut, mund të ekzistojë për dekada të tëra, sipas një studimi të NASA-s.

Ishulli i hirit, i quajtur zyrtarisht “Tonga-Ha’apai”, erdhi në jetë prej një shpërthimi vullkanik nën det dhe ka një majë prej 120 metrash.

Agjencia amerikane e Hapësirës thotë tani se, me të gjitha gjasat, ai do të jetë ishulli i parë i këtij lloji që do të mbijetojë në epokën moderne të satelitëve.

NASA e ka vëzhguar me kujdes “Tonga-Ha’apai”-n që prej formimit të tij, duke realizuar çdo muaj foto të një rezolucioni të lartë falë sensorëve optikë dhe radarëve.

Ky lloj vëzhgimi e ka lejuar të krijojë imazhe, që tregojnë sesi formohen ishujt e rinj me kalimin e kohës, ndër të cilët ata vullkanikë, që konsiderohen më të lehtët për t’u bërë.

“Interesi ynë – shpjegon autori i studimit Jim Garvin, – është të llogarisim përmes metodës tripërmasore 3D, sesa ndryshon peizazhi me kalimin e kohës, e veçanërisht vëllimi që në ishuj të tjerë është matur pak herë”.

Ky konsiderohet si hapi i parë për të kuptuar normat dhe proceset e erozionit, si dhe për të dëshifruar arsyet përse ky ishull jetoi më gjatë nga sa prisnin shumica e njerëzve.

Top Channel