Bashkimi Europian çeli të hënën kapitujt e rinj të bisedimeve për anëtarësim, për Malin e Zi dhe Serbinë, vende këto që kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker pret që të anëtarësohen në bllok deri në vitin 2025.

Në një konferencë për shtyp, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn e cilësoi këtë zhvillim një arritje të merituar për Serbinë, por paralajmëroi edhe njëherë se progresi i mëtejshëm i shtetit serb është i kushtëzuar nga çështja e Kosovës dhe normalizimi i raporteve me të.

“Është bërë një punë e mirë sa u takon marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit, por ka ende shumë sfida përpara”, u shpreh Hahn.

Ndërkohë, diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësues i lartë për Bosnje-Hercegovinën, konsideron se nisur nga deklaratat që Aleksandar Vuçiç ka bërë në lidhje me Kosovën, kjo është vërtet një lloj mundësie historike për ta zgjidhur një herë e mirë konfliktin e fundit në rajon.

Në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, ai i mëshon idesë se Brukseli duhet të fokusohet gjatë dy viteve të ardhshme te kapërcimi i këtij ngërçi, duke i caktuar ndoshta edhe një mandat politik një personaliteti që e njeh shumë mirë Ballkanin dhe problematikën e tij.

I një rëndësie kyçe, sipas diplomatit, është po kështu dialogu i brendshëm i serbëve, i cili duhet parë si kusht themelor përgatitjeje për stabilitetin e vërtetë rajonal. Petritsch mendon se, kur tё ketё nisur nga puna aministrata e re e BE-sё nё vitin 2019, anëtarёsimi i shteteve tё Ballkanit Perёndimor duhet tё jetё nё krye tё listёs sё saj të prioriteteve.

Top Channel