Gjykata “bllokon” Tahirin, ish-ministrit i ndalohet të dalë jashtë Shqipërisë

12/12/2017 10:29

Duke iu referuar dosjes së Katanias, ku emri i ish-ministri të Brendshëm Saimir Tahiri përmendet gjatë përgjimeve ambientale për dhurata, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ndaj tij masën që e ndalon për të lëvizur jashtë Shqipërisë.

Ky vendim i gjyqtares Liljana Baku ka sjellë njoftimin e menjëhershëm te pikave kufitare, ndërsa pritet që të bllokohen edhe pasaporta dhe karta e identitetit e ish-ministrit. Sipas procedurave, ish-ministri Tahiri duhet të pyetet brenda 5 ditëve nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Vendimi i gjykatës jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habliajve, me veçimin e dosjes për Treblovën. Në dosjen e Treblovës përmenden për herë të parë lidhjet e policisë me narkotarfikun.

Ndërkohë, gjithmonë sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që i ndalon Saimir Tahirit daljen jashtë vendit, në Itali u ra në gjurmët e Habilajve që prej vitit 2012 pas operacionit antidroge “Odisea” dhe survejimit të shtetasit Erson Zhuka, i dyshuar si trafikant.

Prokuroria përmend në kërkesën e saj përgjimet e bëra publike tashmë, ku të akuzuarit lakojnë emrin e ish-ministrit për t’i blerë një byzylyk me diamante.

Prokuroria thotë se Saimri Tahiri i njeh Habilajt dhe si argument sjell daljet jashtë shtetit të tij me automjetin “Audi” që ndërkohë i ishte shitur Moisi Habilajt. Sipas Prokurorisë, Saimri Tahiri ka dalë nga “Qafë Bota” me datën 8 gusht 2014 pa automjet dhe është kthyer tetë ditë më vonë me mjetin Audi 003 GB.

Pikërisht me këtë mjet kishte dalë më datën 14 gusht vëllai i Moisiut, Artan Habilaj. Po sipas sistemit “TIMS”, thotë Prokuroria më tej, Tahiri ka dalë me të njëjtin mjet më datën 29 gusht dhe është kthyer një ditë më vonë.

Duke përdorur këtë argument, thuhet se Tahiri për shkak të lidhjeve farefisnore dyshohet të ketë favorizuar Habilajt për kultivim kanabisi.

Argumenti i tretë i Prokurorisë është njohja me Orest Sotës të cilit iu gjetën 863 mijë euro. Për njohjen mes tyre Prokuroria Përshkruan sërisht daljet jashtë vendit, mes tyre të Orest Sotës me shoferin e Tahirit, Gentian Caka dhe të Tahirit me automjetin e vëllait të Orestit në të paktën dy episode. Avokati i Tahirit Maks Haxhia e quan vendimin të pabazuar:

“Ajo masë nuk ka asnjë fakt, asnjë efekt dhe nuk i shërben aspak hetimit”.

TCH: Ndryshimet ligjore përcaktojnë se brenda 5 ditëve nga marrja e këtij vendimi, klienti juaj duhet të paraqitet në gjykatë. A do të shkojë Saimir Tahiri në Gjykatë.

Maks Haxhia: Patjetër.

Kurse ministri italian i drejtësisë Andrea Orlando, i cili ndodhej në Shqipëri ditën e martë, refuzoi të komentojë në lidhje me këtë çështje:

“Nuk komentoj veprimet e gjykatës italiane, aq më pak me vendimet e gjykatës shqiptare. Funksioni ynë është që shkëmbimi midis gjykatave të bëhet në mënyrën më të mirë dhe jo të gjykojmë në vend të gjyqtarëve apo të hetojmë në vend të prokurorëve”, tha Orlando.

Por nga ana tjetër, ministri italian i Drejtësisë pranoi se mes dy vendeve bashkëpunimi në lëmin penal është shumë i mirë.

Top Channel