Bushati: Opozita të mos bllokojë integrimin

12/12/2017 21:10

BE ka rikonfirmuar politikën e zgjerimit në takimin me ministrat e vendeve të saj dhe vendeve kandidate. Por për ministrin Bushati, motivimi i tyre duhet të nxisë të gjithë forcat politike parlamentare, jo thjesht PS dhe qeverinë.

“Jam i gëzuar sepse u rikonfirmua një mbështetje e qartë për politikën e zgjerimit, për procesin e reformave shtetkonsoliduese në Shqipëri, kryesisht për reformën në drejtësi dhe hapat e para që janë ndërmarrë në procesin e Vettingut, për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kultivimit të narkotikëve. Për rolin e Shqipërisë, për qartësinë strategjike përsa i përket linjëzimit të politikës së jashtme dhe për faktin që Shqipëria sot është më afër se kurrë pranë një vendimmarrje për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Natyrisht, puna nuk ka përfunduar, në të kundërt i gjithë ky motivim që vjen nga ana e vendeve anëtare e Bashkimit Evropian duhet të nxisë gjithë forcat politike parlamentare, jo thjeshtë Partinë Socialiste dhe qeverinë. Për të vijuar më tej me reformat për të zbatuar reformën në drejtësi në tërësinë e saj dhe në mënyrë të plotë dhe për të hequr një e nga një të gjitha pengesat që vijnë në këtë drejtim. Sepse proçesi i vendimmarrjes për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian është dhe duhet të përbëjë një përparësi kombëtare dhe duhet të dali mbi çdo lloj sherrnaje politike dhe mbi çdo lloj paragjykimi partiak”, thotë Bushati.

Top Channel