27-vjetori i PD, Top Story, a është gati të marrë përgjegjësitë e saj?

12/12/2017 21:40

PD mbushi dje 27 vite dhe ky 27 vjetor e gjeti në opozitë. Kjo është opozita e tretë në historinë e kësaj partie dhe një opozitë që ka patur edhe sukseset e saj.

Kujtojmë këtu ligjin për dekriminalizimin apo edhe debatin për kanabizimin e vendit, ku koha në një pjesë të madhe i dha të drejtë.

I ftuar në Top Story me Sokol Ballën dhe gazetarëve Çim Peka dhe Alfred Peza, nënkryetari i PD, Edi Paloka e quajti të pavlerë debatin për mungesën e themeluesve në përvjetorin e 27-të të saj.

“Ky është një debat i kotë, sepse ishin nja 10 themelues vetëm rreth meje dje. Çështja e themeluesve është pak më e komplikuar, sepse unë vetë vonë kam marrë vesh që firma ime nuk ishte tek dokumenti zyrtar i themelimit të PD. Ajo ishte festë dhe në festë njerëzit ftohen dhe festojnë dhe kushdo vjen dhe kush nuk do nuk vjen”, u shpreh Paloka.

Lidhur me situatën në të cilën ndodhet sot PD, Paloka nuk e sheh si kërcënim përçarjen dhe grupin që kundërshton Bashën.

“Kemi pas ndarje edhe më të thella se kjo dhe kanë dalë edhe shumë parti nga PD e pastaj janë rikthyer”, thotë ai.

Lulzim Basha deklaroi mes të tjerash ditën hënë se “PD është rrëzuar, por është ringritur gjithmonë”. Por, Çim Peka thotë se Basha gaboi.

“Gaboi sepse Partia Demokratike u rrëzua në 2013-n dhe nuk u ringrit më e fortë në 2017-n, përkundrazi doli më e dobët”, deklaroi ai.

Paloka kundërshtoi. Sipas tij, zgjedhjet në 2017 u blenë nga krimi në bashkëpunim me qeverinë.

Top Channel