Privatizimi i OSSH, Balla akuzon Prokurorinë për pushim të hetimeve

11/12/2017 19:23

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë hetimet për kallëzimin e bërë nga anëtarë të mazhorancës në Komisionin Hetimor Parlamentar për privatizimin e OSSH.

Të akuzuar në kallëzimin e mazhorancës janë ish-zyrtarë të lartë, që nga ish-Kryeministri Sali Berisha e deri tek ndërmjetësit, që sipas Taulant Ballës kanë përfituar miliona euro.

Pas seancës, deputeti Balla akuzoi prokurorët se nuk kanë denjuar të hetojnë faktet që u ka servirur komisoni.

“Kush janë këta prokurorë që guxojnë që një kallëzim të bërë nga Kuvendi i Shqipërisë, përmes një raport të miratuar me shumicë në Kuvendin e Shqipërisë, as nuk e marrin fare në konsideratë, por për 10 ditë marrin vendimin që këtë hetim ta mbyllin”, deklaroi deputeti socialist.

Taulant Balla u kujtoi prokurorëve se në një tjetër vend të Europës, kjo çështje vijon të hetohet.

“Në rast se në Shqipëri, Prokuroria për këtë çështje arrin në përfundimin për të mbyllur hetimet, në një vend ku funksionon kompania CEZ, që quhet Çeki, Prokuroria e atij vendi vazhdon hetimet për këtë çështje. Ky është dallimi i madh mes të dyjave”, u shpreh Balla.

Top Channel