Mbillen 870 fidanë pishe, Veliaj: Më shumë oksigjen, më pak ndotje

11/12/2017 12:00

Në Liqenin e Farkës janë mbjellë edhe 870 fidanë pishe, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital, dhe tashmë parku është kthyer në një pikë referimi për frekuentuesit e të gjitha moshave.

Synimi i Bashkisë së Tiranës është që deri në përfundim të sezonit të mbjelljes së pemëve të reja, kryeqytetit t’i shtohen në total 100 mijë pemë. Duke e cilësuar si dhuratën më të mirë për Tiranën, kreu i Bashkisë ftoi qytetarët që t’i bashkohen këtij koalicioni.

“Besoj që në këtë stinë të festave, ku të gjithë duan një dhuratë, edhe Tirana ka personalitet dhe do një dhuratë. Dhurata më e mirë që mund t’i japim sot Tiranës për festa janë 870 pemë, nesër më shumë të tjera, dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. Siç po ecim çdo ditë, do kapim rekordin tonë të 100 mijë pemëve në këtë stinë mbjelljesh. Kështu që, do vazhdojmë gjatë gjithë stinës së festave. Kush do t’i bëjë një dhuratë Tiranës, nëse do ta kishin anëtarë të familjes së tyre, t’i dhurojë Tiranës 1 pemë”, tha ai, teksa falenderoi banorët e zonës për bashkëpunimin e treguar për mbjelljen e pemëve në të gjithë zonën e Farkës.

Krahas mbjelljes së pemëve të reja, për të përmirësuar cilësinë e ajrit gjithnjë e më shumë Tirana po transformon edhe transportin e saj duke i dhënë prioritet mjeteve ekologjike me ambientin. Kryebashkiaku Veliaj kërkoi prej qytetarëve dhe kompanive të transportit që të orientohen drejt automjeteve që janë miqësore me mjedisin, duke ulur në këtë mënyrë edhe nivelin e ndotjes së ajrtit.

“Po largohemi gjithmonë e më shumë nga transporti diesel, me benzinë ose edhe me gaz, për të shkuar drejt transportit të gjelbër, hibrid dhe elektrik. Më vjen mirë që shumë kompani po e dëgjojnë këtë thirrje. U bëj thirrje kujtdo që do blejë një makinë, ose për arsye personale ose për arsye të biznesit, ose që do lëvizë kryesisht brenda përbrenda qytetit të Tiranës, ta bëjë këtë me një makinë elektrike. Ta përqafojmë të ardhmen, jo vetëm duke mbjellë pemë, por edhe duke blerë makina elektrike”, deklaroi Veliaj.

 

 

Top Channel