Banka Europiane e Investimeve, e cila pritet të mbështesë të martën gazsjellësin TransAdriatik, TAP, me një prej kredive më të mëdha të dhëna ndonjëherë, prej plot 1.5 miliardë dollarësh, është vënë në shënjestër të kritikave nga ambientalistët.

Banka u ka bërë thirrje privatisht krerëve të sektorit të energjisë dhe klimës në BE, ta aprovojnë kredinë pasi mbështetësit e projektit duhet të sigurojnë në mënyrë urgjente mjetet e nevojshme financiare, ndërsa po hyjnë në fazën intensive të ndërtimit.

Por kundërshtarët e planit pretendojnë se, aprovimi i kredisë në përvjetorin e dytë të marrëveshjes klimatike të Parisit do të ishte një fyerje ndaj përpjekjeve të Europës për të reduktuar emetimet e karbonit.

“BE-ja, e cila e konsideron veten një kampione të aksionit për klimën, thjesht nuk mund ta lejojë krahun e saj financiar të mbeshtesë korridorin jugor të gazit”, tha Xavier Sol, drejtor i organizatës “Counter Balance”.

TAP është seksioni më perëndimor i korridorit jugor të gazit, i përbërë nga një seri gazjellësish, që transportojnë gazin nga deti Kaspik në Europë.

Brukseli mbështeti projektin gati një dekadë më parë, si një mënyrë për të reduktuar varësinë e bllokut nga Rusia, që është furnizuesja më e madhe e gazit në BE. Siç pohon media britanike, “The Guardian”, qindra kilometra tokësore janë pastruar në Greqi e Shqipëri për gazsjellësin dhe rreth 2 mijë pemë ulliri në Itali janë zhvendosur përkohësisht për të lejuar ndërtimet.

60 për qind e projektit thuhet të ketë përfunduar dhe ekziston shpresa që furnizimet e para të kalojnë përmes tij në vitin 2020. Kritikët fokusohen jo vetëm tek impakti në ambient i gazsjellësit, por edhe çështje të të drejtave të njeriut në Azerbajxhan, ku prodhohet gazi.

Top Channel