Kompania franceze tërheq qumështin me salmonelë

11/12/2017 15:21

Prodhuesi francez i qumështit të formulës “Lactalis” urdhëroi tërheqjen e produkteve të tij në rang global, për shkak të frikës për kontaminimin me salmonelë.

Autoritetet shëndetësore në Francë thanë se, 26 foshnje në vend ishin prekur nga bakteri që prej fillimit të dhjetorit.

Mes shteteve ku eksportohet produkti përfshihen Britania, Pakistani, Kina e Sudani. Nga masa preken qindra pako qumësht formule të tregtuara globalisht nën markat “Milumel”, “Picot” dhe “Celi”.

“Lactalis” është një prej prodhuesve më të mëdhenj të produkteve të bulmetit në botë. Një zëdhënës i kompanisë tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se, rreth 7.000 tonë produkte mund të jenë kontaminuar, por ai nuk sqaroi sesa mbeten në treg apo sa janë konsumuar.

“Lactalis” beson se salmonela mund të jetë përhapur nga një makineri që përdoret për tharjen e qumështit pluhur në një fabrikë në qytezën Craon, në veriperëndim të Francës.

Të gjitha produktet e prodhuara atje që prej muajit shkurt janë tërhequr, e kompania thotë se ka marrë masat e nevojshme për të dezinfektuar të gjitha pajisjet në fabrikë. Bakteri i salmonelës mund të shkaktojë helmim dhe simptomat përfshijnë diarre, dhimbje stomaku e të vjella.

Top Channel