Urdhri i drejtorit të policisë së shtetit Haki Çako për ndëshkimin e “ huliganëve ” në eventet sportive, mori formë për herë të parë.

14 tifozë të skuadrës së Tiranës të cilët u bënë protagonist për ndërprerjen e takimit të basketbollit në derbin e kryeqytetit, që u luajt më 27 tetor në fushën sportive “ Farie Hoti ”, janë gjobitur me shuma të konsiderueshme.

10 deri 15 mijë lekë ka qenë masa administrative që është marrë ndaj tifozëve thonë burime nga policia e Tiranës. Këta individë janë futur edhe në listën e zezë dhe në rast se do të rezultojnë përsëritës do t’u pezullohet hyrja në stadiume dhe mjedise të tjera sportive për një periudhë deri në 2 vjet.

Por ndeshja e radhës e basketbollit, mes Partizanit dhe Tiranës të shtunën në “Asllan Rusi” mund të përfundonte tragjikisht. Tre tifozë të skuadrës së kuqe, u arrestuan pasi nuk nguruan të kundërshtojnë policinë si dhe të qëllojnë mbi uniformat blu.

Tre të rinj u arrestuan pasi policia i gjeti shkopinj të ngjashëm me ato të bejzbollit, një shkop gome madje edhe një bombë Molotov. Policia ndërhyri në kohë duke mos lejuar përballjen fizike mes dy tifozerive që kishte nisur më herët në rrjetet sociale.

Top Channel