Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se problemi i furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike në Novoselë do të rregullohet shumë shpejt falë investimit të OSHEE për ta kthyer këtë zonë në 20 kilovolt.

“Janë probleme të trashëguara ndër vite por gjë që do të zgjidhet shumë shpejt me investimin i cili sapo ka filluar në të gjithë këtë zonë të Novoselës. Pak nga pak kjo zonë po kthehet në një zonë industriale. Investimi i ri i Operatorit të Shpërndarjes do të bëjë të mundur që energjia këtu të vijë pa ndërprerje dhe vitin tjetër do të planifikojmë edhe investim për ta kthyer këtë zonë në 20 kilovolt. Do të thotë që energjia do të jetë me parametrat më të mirë dhe që do të ndihmojë të gjitha bizneset e kësaj zone për të patur energji të pandërprerë”, premtoi ministri.

Gjiknuri mori pjesë në inaugurimin e një fabrike të prodhimt të metaleve, investim i një konsorciumi italo-shqiptar me shifër 3.3 milionë euro, prodhimi i të cilëve janë për tregun e huaj.

“Jemi këtu në Novoselë, ku pavarësisht se Novosela ditët e fundit ka dominuar lajmet e fatkeqësive natyrore, ka edhe një dimension tjetër, që duhet ta njohë publiku. Në Novoselë po investohet nga kompani të huaja në sektorin e prodhimit. Këtu jemi tek investimi më i fundit, nga një kompani italiane dhe investitorë shqiptarë, të cilët po prodhojnë për tregun, për eksportin, pjesë metalike. Ky është një investim i ri, modern, me teknologjinë më të fundit dhe që është për t’u përgëzuar. Investimet po shtohen, interesi për Vlorën është rritur”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se investimi i kryer është në një vlerë të konsiderueshme ndërsa ka punësuar disa prej banorëve të zonës.

Top Channel