Barça i kujton Iniestën Chelseat, Conte: Ta harrojmë të kaluarën

11/12/2017 17:43

Në momentin që vazot e shortit të UEFA-s vendosën Barcelonën kundër Chelsea, jo pak tifozë të skuadrës londineze rikthyen në vëmendje një mbrëmje zhgënjyese që ka lënë shenjë në historinë e “bluve”.

Në gjysmëfinalet e sezonit 2008-2009 në Champions League, katalanasit tronditën “Stamford Bridge” me golin e Andres Iniestës, që çoi formacionin spanjoll në finalen e turneut.

Por tani, rivaliteti mes dy klubeve që kanë dhuruar përballje elektrizuese në Champions është rikthyer në fokus.

“Kemi patur jo pak momente të mëdha në Stamford Bridge, apo jo Andres Iniesta”.

Ky koment në Twitter i skuadrës së Barcelonës ishte një referencë e qartë dhe ironi ndaj Chelseat për fitoren në dekadën e kaluar. Por, trajneri Antonio Conte u ka kërkuar lojtarëve të klubit londinez që të harrojnë të kaluarën, pasi mund ta shkruajnë ata vet historinë në dy përballjet me ekipin “blaugrana”.

“Ato ndeshje i përkasin së kaluarës dhe e tashmja është diçka krejt tjetër dhe e ndryshme. Ky tip shorti u jep mundësinë futbollistëve të tregojnë vlerat që kanë. Në Champions duhet të jesh gati për gjithçka dhe ne tani kemi përpara Barcelonën. Por, gjithsesi, prioriteti sezonal është kampionati anglez dhe sigurimi i një vendi në Champions vitin që vjen”, tha Antonio Conte.

Top Channel