Arabia Saudite rihap kinematë pas 3 dekadash

11/12/2017 14:17

Në Arabinë Saudite është kohë ndryshimesh. Javë më parë, Princi i kurorës Mohammed bin Salman urdhëroi një goditje kundër korrupsionit, e fundit në një sërë ndryshimesh e reformash frenetike në Mbretërinë arabe gjatë viteve të fundit.

Princi duket i vendosur të rimodelojë vendin e tij konservator, në një shtet modern që nuk është më i varur nga nafta, por tjetërsimin nuk po e kërkon vetëm në një drejtim.

Vizioni i tij i ndryshimeve shtrihet përtej politikës dhe ekonomisë. Falë këtyre nismave, nga viti që vjen grave do t’iu lejohet të ngasin makinat e të marrin pjesë në shfaqjet sportive.

Por, viti 2018 duket se do të bëhet edhe viti i një tjetër risie të madhe. Pas më shumë se 3 dekadash, në vend do të lejohen kinematë.

Ministria e Kulturës dhe Informacionit njoftoi se do të nisë lëshimin e licencave menjëherë dhe se kinematë e para, me shumë gjasë do të hapen në muajin mars.

Lëvizja është pjesë e programit të gjerë reformues të Princit të kurorës. Mbretëria konservatore myslimane kishte kinema në vitet 1970, por klerikët i bindën autoritetet se ato duheshin mbyllur, e që prej atëherë nuk janë hapur më.

Edhe janarin e kaluar, myftiu i madh sheiku Abdul Aziz Al al-Sheikh u kujdes të paralajmëronte mbi “shthurjen” që sjellin kinematë – sipas tij, – duke theksuar se, nëse lejohen, ato do të korruptojnë moralin.

Top Channel