Partia Demokatike mbushi 27 vjet nga themelimi i saj. Basha tha se pavarësisht sfidave dhe skenarëve të eleminimit të saj, PD ia ka dalë të mbetet e madhe, duke pasur vetëdijen e bashkimit.

Lulzim Basha deklaroi dy aspekte të këtij përvjetori.

“Ky dhjetor është si gjithë të tjerët kur përkujtojmë me nderim dhe mirënjohje ata që nuk kemi më mes nesh, nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi e të tjerë”, tha ai.

Por, sipas Bashës, ky dhjetor i 27-të i PD-së ka një dallim nga të tjerët.

“Sepse vjen në vitin e krimit të madh të 25 qershorit, një dënim i madh për qytetarët shqiptarë, për demokracinë tonë dhe pastaj për PD dhe opozitën. Ishte një kthim pas që kërkon nga ne reflektime, vendime dhe veprime të matura, por të vendosura”, vijoi ai.

Kreu demokrat dha një shpjegim për marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën . Ai tha se thelbi i saj ishte shmangia evitimi i përplasjes civile, i destabilizimit të vendit dhe i angazhimit të grupeve kriminale në shitblerjen e votës.

Por sipas Bashës, Rama bëri të kundërtën e asaj për të cilën u bë marrëveshja. Basha tha se zgjedhjet u vodhën, por qëndresa e demokratëve po shpërblehet. Sipas tij zgjedhjet u vodhën, por ai deklaroi se ka filluar shpërbërja e narkoshtetit.

“Ky është fillimi i shpërbërjes së strukturës kriminale dhe gënjeshtrës mbi të cilën qëndron kjo narkoqeveri. Janë katër rekorde të kësaj qeverie; 1, Promovimi me vetëdije i individëve me rekorde kriminale, 2, kanabizimi masiv i vendit, 3, angazhimi i bandave si struktura elektorale të PS për të blerë votat, 4, blerja masive e votave në zgjedhjet e 25 qershorit. Këto rekorde provojnë ilegjitimitetin e Parlamentit dhe narkoqeverisë. Shpërbërja e së keqes do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim”, deklaroi ai.

Basha foli për reflektim dhe bashkim, por munguan ish-drejtues e ish-deputetë të PD-së, të cilët Basha la jasht listave të kandidimit. Partia Demokratike mori urimin e presidentit Ilir Meta. Partia Socaliste ju përgjigj ftesës së PD-së me praninë e deputetes Vasilika Hysi.

Top Channel