“Tirana 48 orë”, sot ndahen çmimet për kineastët e rinj

10/12/2017 17:23

Festivali i filmit “Tirana 48 Hour Film Project”, është tashmë një fenomen kulturor botëror dhe një institucion ndërkombëtar që organizohet në 130 qytete të botës.

Duke iu ofruar kineastëve të rinj mundësinë për t’u shprehur në gjuhën e filmit. Producenti Robert Aliaj Dragot është duke punuar për mbrëmjen e sotme të ndarjes së çmimeve të edicionit të tetë.

“Ka shumë filma këtë edicion. Ka 24 produksione. Nga 24 ne do të shfaqim 18, për të arritur qëllimin final që është festivali i Kanës në rastin më të mirë, por në rastin më të keq fituesi shkon në Paris marsin që vjen”, tha producenti Robert Aliaj.

Janë gjithsej tetë çmime që do të ndahen në këtë kompeticion ku gjithçka përfundon me finalizimin e një filmi brenda 48 orëve.

“Në 48 orë, është një festival që gjithçka e bën në 48 orë. Nga ëndrra në ekran. Hidhet shorti, aty ti e kupton se çfarë do bësh. Kështu që ti do bësh një film dhe ke vetëm 48 orë”, u shpreh Robert Aliaj.

Theksi po ashtu vihet në stimulimin e krijimtarisë, promovimin e kineastëve të rinj dhe të qytetit të Tiranës. Ndërkohë që kur kujton fillimet, producenti kujton që e ka pasur shumë të vështirë të gjejë mbështetje për idenë e tij.

“Shqipëria e ka në kulturën e saj, që të mos investojë në kulturë”, u shpreh Robert Aliaj Dragot.

Top Channel