Shkarkohet Bosz, Dortmundi emëron ish-trajnerin e Këlnit, Stoeger

10/12/2017 12:21

Peter Bosz nuk do të jetë më trajner i Borussias së Dortmundit. Lajmi zyrtarizohet këtë mesditë nga klubi gjerman, përmes një konference për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt edhe në rrjetet sociale.

Shefi ekzekutiv i klubit gjerman, Hans-Joachim Watzke njoftoi se, mbrëmjen e djeshme ka pasur një bisedë me trajnerin Bosz, e aty është vendosur që të ndërpritet në mënyrë të menjëhershme kontrata e bashkëpunimit me të.

“Ishte një bisedë shumë emocionuese, por edhe shumë klasike dhe serioze”, tha Watzke. “Kemi ndërprerë lidhjet me konsensus dhe në emër të Borussias i shpreh falenderimet Peter Bosz, të cilin e konsiderojmë ende një trajner të madh dhe njeri të madh”.

Nga tani e tutje, ndihmësi i tij Manfred Schmidt, Peter Stoeger dhe ish-lojtari i Borussias, Jorg Heinrich do të ulen në pankinën e Dortmundit deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit, Michael Zorc u shpreh me superlativa për ish-trajnerin Bosz.

“Do të doja personalisht ta falenderoja Boszin dhe të theksoja sërish sesa e vështirë ishte për ne të merrnim këtë vendim”, tha ai, për të vijuar më pas me prezantimin e Peter Stoeger.

“Në 4 vite, Stoeger kreu një punë të shkëlqyeshme te Këlni”, tha ai.

Stoeger, nga ana e tij, u shpreh i lumtur që ndodhet në krye të këtij ekipi dhe në një stadium magjepsës si “Signal Iduna Park”.

Top Channel