Ministri i Energjisë, Damian Gjinkuri tha se reshjet dhe menaxhimi i kaskadës së Drinit shpëtuan buxhetin e vitit të ardhshëm nga një faturë e rëndë.

“Po fillojmë e po hyjmë në një klimë normaliteti. Ky është një lajm i mirë për ekonominë dhe financat e shtetit, se në fund të fundit gjithmonë financat publike kërcënoheshin nga një faturë e mundshme”, deklaroi Gjiknuri.

Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj inspektoi investimin 1.8 milionë euro të Bashkimit Europian në Doganën e Hanit të Hotit, që, sipas tij, u jep fund radhëve të kalimit.

“Përshpejton kalimin, lehtëson tregtinë dhe do të ketë impakt në rritjen e të ardhurave dhe transparencën e punës së tre ministrive, doganave, policisë dhe AKU”, deklaroi Ahmetaj.

Në Shkodër ishte edhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, i cili ka ftuar fermerët të aplikojnë për fonde nga shteti: “Ne kemi përzgjedhur 15 produkte ku do të orientojmë subvencionet. Ndaj, u bëj thirrje të gjithëve që të fokusoheni tek planet e biznesit dhe aplikoni për skemën kombëtare që besoj se do të jetë gati që në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm”.

Top Channel