Kaos te Kukësi, Gjici rikonfirmon Milinkoviçin…deri në janar

10/12/2017 12:51

Kukësi po përjeton momentin më delikat të tij në Kategorinë Superiore. Humbja 1-3 nga Lushnja në stadiumin “Zeqir Ymeri”, vetëm sa e ka rënduar situatën, pas së cilës trajneri Milinkoviç u shfaq i dorëzuar.

Pas përfundimit të sfidës, trajneri i skuadrës verilindore la të nënkuptohet se do të largohej, kur theksoi se e kishte marrë vendimin dhe se do t’ia komunkonte atë edhe presidentit Gjici.

Takimi mes tij dhe presidentit të Kukësit ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, me këtë të fundit që vendosi të konfirmojë Milinkoviçin, të paktën deri në muajin janar.

Kukësi, në 6 ndeshjet e fundit ka mundur të marrë vetëm 6 pikë, e largimi i Milinkoviç pritej të ndodhte më parë, por Gjici si rrallëherë, kësaj here u tregua më i duruar dhe e mbajti teknikun aktual në stolin e kampionëve të Shqipërisë edhe për disa javë të tjera.

Ndërkohë, tensionet në skuadër po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Takimi i fundit mes kreut të klubit dhe pjesës tjetër të skuadrës u zhvillua me tone shumë të larta mes palëve, pasi kjo disfatë me skuadrën e vendit të fundit u përkufizua e papranueshme.

Ndeshja e radhës e Kukësit është ajo me Teutën, që do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit të dielën e ardhshme, ku verilindorët do të kërkojnë që të marrin një fitore për të larguar disi hijen e krizës së thellë që e ka mbërthyer.

Top Channel