Egjipt, zbulohen dy varre të reja. Shpresë për ripërtëritjen e turizmit

10/12/2017 11:35

Dy varret e reja të prezantuara botës nga qyteti antik i Luxorit, në Egjipt, datojnë rreth 3.500 vite më parë e i kanë rritur ndjeshëm shpresat e qeverisë vendase për ripërtëritjen e sektorit të çalë turistik të vendit.

Të ndodhura në bregun perëndimor të Nilit, në një varrezë aristokratësh e zyrtarësh të lartë, ato janë zëri më i fundit që ngrihet nga një zonë e famshme për tempujt e varret e saj, nga dinasti të ndryshme të lashtësisë egjiptiane.

“Kjo është një ditë e jashtëzakonshme”, tha ministri i Antikitetit, Khaled al-Anani. “Varret private të dinastisë së 18 ishin të njohura për ne, por është hera e parë që hapen për publikun”.

Al-Anani shpjegoi se të dy varret ishin zbuluar në vitin 1990 nga arkeologët gjermanë, megjithatë, deri vonë ishin mbajtur të mbyllura.

Një sërë objektesh të gjetura brenda tyre janë ekspozuar tashmë, duke treguar mumjen e një drejtuesi të lartë, figurina druri, maskara druri e mure të pikturuar e të ruajtur në kushte të jashtëzakonshme.

Varret gjenden në Nekropolin “Draa Abul Naga”, shumë pranë luginës së mbretërve, ku janë varrosur një pjesë e mirë e faraonëve të Egjiptit. Gjatë muajit shtator, arkeologët bënë një tjetër zbulim, atë të varrit të një argjendari mbretëror, edhe ky në afërsi të Luxorit.

Varri, i cili datonte gjithashtu në kohën e të ashtuquajturës “Mbretëria e re”, përmbante një statujë të arpunuesit Amenemhat, i ulur pranë gruas së tij.

Top Channel