“Dajti n’Fest” për Ditën Ndërkombëtare e Maleve

10/12/2017 17:52

Tashmë, edhe Tirana ka një pistë të vetën të hedhjes me parashutë në malin e Dajtit, nga ku mund të fluturojnë të gjithë parashutistët profesionistë apo edhe ata që kërkojnë të provojnë adrenalinën që të jep ky lloj sporti.

Në Ditën Ndërkombëtare të Maleve, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizuan për dy ditë me radhë “Dajti n’Fest”, një organizim i kthyer në traditë për promovimin e turizmit dhe produkteve e zejeve të zonës, ku u përurua edhe pista e hedhjes me parashutë në malin e Dajtit.

Pjesë e aktiviteteve u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe shumë qytetarë të Tiranës që kishin zgjedhur që ditën e sotme ta kalonin në “Dajti n’Fest”. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që më në fund edhe Tirana ka pistën e saj të hedhjes me parashutë.

“Më vjen shumë mirë që e mbajtëm fjalën, edhe e di që kemi shumë punë për të bërë. Ky është vetëm fillimi. Sapo kemi markuar territorin për ta kthyer pastaj në një pistë profesioniste që mund të akomodojë dhe dhjetëra sportistë njëkohësisht, megjithatë fillimi i mbarë është gjysma e punës”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi për këtë edhe sipërmarrësit privatë, të cilët kanë mbështetur nismat që sjellin zhvillim turistik dhe ekonomik për qytetin. Duke uruar festat, Veliaj theksoi se shumë shpejt Bashkia e Tiranës, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, por edhe zhvillimit ekonomik të zonave rurale, do të hapë tregun e gjelave të detit në Baldushk.

“Meqë janë festat dhe kemi kapur borën e parë në Dajt, dua t’iu uroj të gjithëve gëzuar festat. Shumë shpejt do të hapim tregun e gjelave jo në mes të Tiranës, por në Baldushk, aty ku është gjeli më i mirë i detit”, tha Veliaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se nisma të tilla nxisin edhe më shumë zhvillimin e potencialit turistik, ndërsa theksoi se turizmi mbetet një prioritet për qeverinë.

“Padyshim turizmi malor, turizmi i aventurës, turizmi jashtë sezonit është për ne një prioritet dhe një përpjekje fantastike që nuk mund ta bëjmë kurrë vetëm. Prandaj, jemi këtu në këtë ditë të diele për t’i dëshmuar të gjithëve që së bashku mund t’ia dalim të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Padyshim bashkëpunimi me bashkitë është themelor në këtë histori, po nuk do të mjaftonte kjo nëse nuk do të kishim me mijëra e mijëra djem e vajza të mrekullueshme që kanë sakrifikuar në këto vite, tashmë kanë të drejtën e tyre të kërkojnë më shumë nga ne, më shumë investime, organizime dhe më shumë pjesëmarrje”, tha Klosi.

Top Channel