Reshjet e dëborës, të cilat përfshinë zonat veriore mesditën e së shtunës dhe gjatë natës së kaluar, sipas “Meteoalb” kanë shënuar 50 deri në 70 cm borë në zonat e thella veriore dhe 20-30 cm në zonat verilindore.

Sasi më të vogla deri në 10 cm janë regjistruar në zonat jugore dhe ato juglindore. Korrespondentët tanë në këto zona raportojnë se nuk janë regjistruar probleme në blokimin e rrugëve.

Në Rrugën e Kombit, pranë tunelit në Kalimash, dëbora ka arritur rreth 5 centimetra, por ndërhyrja e borëpastrueseve ka shmangur problemet në qarkullim.

Të gjitha akset rrugore që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë të qarkullueshme normalisht, përfshirë edhe aksin Bajram Curri-Valbonë, ku trashësia e borës arriti në 20 centimetra. Aktualisht janë 20 borëpastruese dhe 4 fadroma në gatishmëri në të gjithë Qarkun e Kukësit. Furnizimi me energji elektike ka qenë problematik vetëm në njësine administrative Zapod.

Sipas shërbimit “Meteoalb”, orët e para të mëngjesit të së dielës kanë sjellë edhe rënie të ndjeshme të tempraturave, teksa në zonat veriore janë regjistruar deri në -4 gradë Celsius, ndërsa në bregdet dhe zonat e ulëta kanë zbritur me 5 gradë Celsius, duke regjistruar vlera 6 deri në 7 gradë Celsius.

Për shkak të këtyre temperaturave, korrespondentët tanë njoftojnë për ngrica në aksin kombëtar Bulqizë-Peshkopi, e në rrugë rurale sidomos në akset Ura e Çerenecit-Librazhd, Bulqizë-Krastë.

Situatë e vështirë prej pranisë së akullit në rrugë ka edhe aksi rrugor Qafë e Buallit që të çon për te minierat e zonës D, ku punojnë minatorët dhe ku terreni është i vështirë. Ndaj drejtuesit e automjeteve që përshkojnë këto rrugë duhet të përdorin zinxhirët.

Sipas “Meteoalb”, mëngjesi i së hënës ruan të njëjtat temperatura dhe vetëm në mesditë pritet që ato të rriten, rritje që do të vijojë edhe në ditët e para të javës që vjen, ndonëse ky shërbim parashikon të jetë e lagësht.

Top Channel