Barazimi në “derbin e Italisë”, Spalleti gëzon, Allegri ndien keqardhje

10/12/2017 13:00

Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Interit nuk pati fitues. Në “Allianz Stadium”, sfida mes këtyre dy skuadrave përfundoi në barazim 0-0, një rezultat ky që gëzon më shumë Interin, që ruan pathyeshmërinë, ndërkohë që mban edhe për këtë javë prapa “Zonjën e vjetër”.

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti nuk e fshehu aspak kënaqësinë për këtë pikë të marrë në Torino.

“Duhej të ishim më të qetë dhe të besojmë më shumë tek aftësitë tona. Mund të bënim diçka më shumë, por morëm një pikë të vlefshmë, në një fushë shumë të vështirë. Neve nuk na mungon asgjë, megjithatë, të dyja skuadrat mund ta fitonin ndeshjen. Atë që kemi arritur deri tani, e kemi merituar”, tha Spalletti pas ndeshjes.

Ndërsa trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri e shprehu hapur faktin se, i erdhi keq që skuadra e tij nuk mundi ta fitojë këtë përballje.

“Futbollistët duhen përgëzuar, pasi zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe nuk e lejuan kundërshtarin të bëjë qoftë edhe një gjuajtje brenda kuadratit të portës. Nuk ishte e lehtë, sepse Interi është një skuadër kompakte, me teknikë të mirë. Na mungoi vetëm goli. Na vjen keq që nuk fituam, pasi 3 pikët do të rrisnin edhe më shumë besimin te ne, por mund të them se jemi në rrugën e duhur”, tha Allegri.

Top Channel