Propozimi i Schulz, ‘Shtetet e Bashkuara të Europës’

08/12/2017 02:07

Lideri i partisë Social-demokrate në Gjermani ka përcaktuar linjat e kuqe të bisedimeve për krijimin e një tjetër qeverie koalicioni me Angela Merkel.

Në një fjalim në konferencën e partisë në Berlin, ku foli për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës deri në 2025-ën, por edhe për një rrjet më të fortë sigurimesh sociale dhe distancimi nga energjia e përfituar nga qymyri, Martin Schulz hapi udhën për bisedime me fund të hapur me Unionin Kristian-demokrat.

“Ne nuk duam të qeverisim me çdo çmim. Por, ne edhe nuk duhet të refuzojmë të qeverisim me çdo çmim”, u shpreh Martin Schulz.

Anëtarët e partisë votuan për ta lejuar lidershipin të hyjë në bisedime me CDU-në dhe vota i mundëson liderëve të diskutojnë opsione të ndryshme, përfshirë edhe rinovimin e koalicionit të gjerë, bashkëpunimin informal apo një marrëveshje zyrtare për të toleruar një qeveri konservatore pakice, duke mos votuar disa mocione të caktuara parlamentare.

Në konferencë, lideri Social-demokrat propozoi që vendet anëtare të BE të nënshkruajnë një marrëveshje kushtetuese që e angazhonte bllokun të ndërmerrte hapa drejt një Evrope Federale, një propozim që pritet të ndeshet me rezistencë nga Merkel dhe liderë të tjerë të BE-së.

Një marrëveshje e tillë kushtetuese duhet të shkruhet nga një konventë që përfshin shoqërinë civile dhe njerëzit e thjeshtë. Kjo marrëveshje kushtetuese sipas tij, do t’i prezantohet më pas vendeve anëtare dhe ata që nuk do ta miratojnë, automatikisht do të duhet të dalin nga BE.

Top Channel