“Përballje brezash”, Veliaj: Guximi i dhjetoristëve në ‘90, shembull për të rinjtë

08/12/2017 17:07

Me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, ish-studentë të viteve ‘90, që morën pjesë në lëvizjen për rrëzimin e regjimit komunist, janë ‘përballur’ në një diskutim të lirë me të rinj të lindur në Dhjetor ’90 dhe gjimnazistët e sotëm, mbi idealet dhe guximin e studentëve të asaj kohe që u përballën me regjimet më të egra të Europës.

Ish-studentët të Dhjetorit ‘90, Pandeli Majko, Mesila Doda, Ilir Dizdari, Bislim Ahmetaj dhe Blendi Gonxhe sollën për të pranishmit momentet dhe ëndrrat e rinisë së asaj kohe, ndërkohë që për të evokuar ngjarjet e atyre ditëve për gjithë të rinjtë e sotëm në ambientet e Qendrës TEN u shfaq dokumentari “8 Dhjetor 1990 – 27 vite pas”.

Takimin e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi protagonistët e atyre ditëve historike për Shqipërinë dhe theksoi se Qyteti Studenti përfaqësonte shpresën e çdo shqiptari. “Për mua, prezantimi i parë me Shqipërinë ishte Qyteti Studenti, pasi aty, ti kuptoje që njerëz nga çdo cep i Shqipërisë kishin një hapësirë ku ishte i gjithë mozaiku i Shqipërisë, çdo fije e shoqërisë sonë dhe ndoshta ishte kampioni më i mirë që përfaqësonte se çfarë mendonte e gjithë Shqipëria, pavarësisht se atëherë nuk lejohej media e lirë. Privilegji ynë ishte që ishim një lagje afër Qytetit Studenti dhe merrnim vesh çfarë bëhej”, tha Veliaj.

Më tej, ai theksoi se rinia e asaj kohe mori përsipër që t’i përgjigjej nevojës së shqiptarëve për ndryshim, duke mos marrë parasysh rrezikun që mund t’i vinte nga regjimi, që ende ishte në këmbë, ndërsa shprehu keqardhjen që sot sukseset e atij revolucioni rinor përpiqet që t’i korrin njerëz që historia i ka nxjerrë jashtë. “Njeriu ose është aktivist kudo, në çdo komunitet, në çdo shërbesë, në çdo post, ose është një nga këto aksidentet politike nga të cilat kemi pasur shumë në Shqipëri. Ndërsa po vija këtu po dëgjoja në radio disa fjalime, përfshirë të këtij plakut, dhe asnjë nga ata që realisht kishin bërë revolucionin në 8 Dhjetor, asnjë nga personazhet nuk fliste. E paimagjinueshme, mendova, 8 Dhjetori festohet në një vend që i ka përzënë të gjithë dhjetoristët, ku kanë mbetur vetëm pak vetë, që thjesht e mjelin historinë, por pa i dhënë peshë edhe hapësirë”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu kryebashkiaku tha se dhjetoristët dhe guximi i tyre për të ndryshuar një situatë që dukej e pandryshueshme, duhet t’u shërbejë të rinjve në çdo kohë për të kontribuar dhe për të qenë aktiv për një shoqëri më të mirë.

“Jam i sigurt, në atë kohë jo të gjithë ishin dhjetoristë, kishte disa njerëz që thoshin: E ç’më duhet mua! Edhe sot, në fakt një pjesë e madhe e shoqërisë thotë ta bëjë dikush tjetër. Pyetja është: nëse duam ndryshim, nëse duam që ky qytet, ky vend të ndryshojë, kush do ta bëjë përveç nesh?! Në qoftë se nuk e bëjnë njerëzit e ftilluar, gjasat janë që, si në 8 dhjetorin e ‘90, në atë kohë, kush ishte i ftilluari i klasës, që kishte aftësi lidershipi, që organizonte njerëz, që i dhimbte për gjërat, që shikonte një padrejtësi dhe donte të reagonte dhe në atë vend kush ishte kremi i asaj gjenerate, po të shikoni është kremi edhe sot, sepse që në atë moshë pak a shumë pikaset se kujt i dhemb dhe kush ka një mision përtej egoizmit të vet. Unë besoj që kjo është e vërteta sot. Gjasat janë që nëse jeni një aktivist sot, do të jeni lidershipi i Shqipërisë nesër”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel