Nis gara për Kryeprokuror, Kuvendi: 5 ditë kohë për kandidatët

08/12/2017 14:06

Parlamenti zyrtarizoi nisjen e garës për kryeprokuror vetëm disa orë pasi Adriatik Llallës i mbaroi mandati.

Formalisht Kuvendi njofton të gjithë prokurorët me eksperiencë të gjatë pune, që brenda të martës së ardhshme, pesë ditë nga vendimi i së enjtes në Komisionin e Ligjeve, të dorëzojnë jetëshkrimin e tyre bashkë me deklaratën se pranojnë të kandidojnë për Kryeprokuror të përkohshëm.

Kriteret për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ardhshëm janë disa. Në vendimin e së enjtes, Komisioni i Ligjeve përcaktoi edhe procedurën sesi do të veprohet deri në votimin e kryeprokurorit të ri të përkohshëm.

Me mbylljen e aplikimeve për kandidatët, Komisioni i Ligjeve brenda dy ditëve shpall një datë ku do të zhvillojë seancë dëgjimore me secilin kandidat të vetëofruar. Seanca dëgjimore do të shërbejë që Komisioni të japë një vlerësim për secilin kandidat.

Detyra e komisionit më pas është t’i dërgojë Kuvendit një raport ku kandidatët të jenë të renditur sipas aftësisë, integritetit moral e profesional, aftësive organizuese dhe paraqitjes që do të bëjnë në komision.

Hapi i radhës i takon Parlamentit, i cili do të votojë kandidatët që janë në raportin e Komisionit të Ligjeve. Votimi për Kryeprokurorin e përkohshëm do të bëhet sipas parashikimit kushtetues dhe rekomandimeve të OPDAT dhe EURALIUS, që përcaktojnë zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm me 36 vota.

Fitues do të jetë ai që përmbush të gjitha kriteret e sipërpërmendura të përcaktuara edhe në raportin e Komisionit të Ligjeve. Një ditë më parë, opozita e kundërshtoi fort këtë procedurë, të cilën e quan të jashtëligjshme dhe përfaqësuesit e saj në Komisionin e Ligjeve braktisën mbledhjen.

Ndërsa procedura vijonte, Kryeministri Rama, i bëri një ftesë kreut të PD për ta zgjidhur bashkarisht edhe këtë çështje.

Top Channel