Kamerat e sigurisë, 28 dhjetori afati i fundit, ndryshe gjobë

08/12/2017 15:24

28 dhjetori është afati i fundit që subjektet publike dhe ato private që preken nga ligji për masat shtesë të sigurisë publike, apo siç njihet ndryshe “ligji i kamerave”, të përmbushin detyrimet.

Policia ka identifikuar të gjitha bizneset, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë. Komisionet e ngritura në drejtoritë vendore të policisë u kanë dërguar njoftimet për marrjen e masave në përputhje me nivelin e kadegorive dhe duhet të përmbushen brenda 60 ditësh.

Por, përveç bizneseve me risk si pikat e karburanteve, ato të këmbimit valuator, lojrat e fatit apo lokalet e natës ligji parashkon vendosjen e kamerave të një cilësie të lartë edhe në institucionet arsimore si shkolla dhe kopshte si dhe në pallate apo mjedise të tjera të përbashkëta banimi.

Bizneset që do të përmbushin detyrimet do të pajisen me “Vërtetimin e sigurisë” ndërsa në rast të kundërt ligji parashikon gjoba që variojnë nga 5 deri në 100 mijë lekë. Kamera detyrohet të vendosen edhe mjetet e transportit publik si dhe në sheshe të hapura, parqe, kënde të lojërave, dhe vend parkime.

Një udhëzimi i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale detyron subjektet që të ruajnë privatësinë e klientëve dhe qytetarëve. Ky ligj i miratuar vitin e kaluar shkaktoi debate.

Ish-presidenti Nishani e riktheu për rishqyrtim në Parlament, ndërsa Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Tregtarëve, që e cilësonte në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Top Channel