Alternativa për Milanin: Pranimi i “fajësisë” dhe sanksioneve në pranverë

08/12/2017 12:15

Në fushën e lojës, Milani po vuan të rigjejë identitetin e vet, por jashtë fushave të blerta gjërat mund të komplikohen edhe më shumë nga sa ishin parashikuar.

Për përgjigjen zyrtare të UEFA-s ndaj “marrëveshjes vullnetare” të propozuar nga klubi kuqezi do të duhen pak ditë, por duket se përgjigjja e institucionit më të lartë europian të futbollit do të jetë negative.

Alternativa që mbetet është “marrëveshja e rakorduar”, e thënë ndryshe një “pranim fajësie” dhe penalizimesh, siç ka ndodhur edhe me Interin e Romën.

Ndërkohë, Yonghong Li ka hedhur poshtë çdo mundësi për të shitur klubin, apo për të afruar blerës të rinj.

Në selinë e klubit, rruga “Aldo Rossi” po përjetohet një situatë kaotike, pasi rezultatet në fushën e lojës nuk po kontribuojnë në drejtimin e duhur për të zbutur krizën. Skuadra vazhdon të zhgënjejë, siç tregoi edhe prova tepër e keqe në Europa League ndaj Rijekës, ndërkohë që të gjithë presin me ankth përgjigjen e UEFA-s.

Në fakt, ajo që u publikua një ditë më parë nga burime “të brendshme” është mohuar nga vet Konfederata e Federatave europiane të Futbollit (UEFA).

Por nëse plani i propozuar nga Marco Fassone, administrator i deleguar i Milanit, nuk miratohet nga UEFA, atëherë kuqezinjve u mbetet rruga për të pranuar sanksionet, edhe pse në kushtet aktuale, “djalli kuqezi” do ta kishin të vështirë të plotësonin kërkesat e të ashtuquajturës “marrëveshje fajësimi”.

Për këtë, gjithsesi, ka kohë deri në pranverën e 2018-s për të demonstruar vazhdimësinë shoqërore, duke qartësuar asetet financiare dhe borxhet.

Një pranim fajësimi, që parashikon reduktimin e humbjeve në bilanc brenda një limiti të caktuar, do të kalonte nëpër disa faza në të cilat do të merreshin edhe sanksione. Nga një gjobë e thjeshtë, deri në reduktim lojtarësh në listën e dorëzuar në UEFA derisa të arrihet ekuilibri mes blerjeve dhe shitjeve, e deri te mbyllja e merkatos. Rasti më i rëndë është përjashtimi nga kupat europiane, por situata e Milanit nuk është aq e rëndë sa të shkohet deri këtu.

Top Channel