Zjarret në Kaliforni, imazhe apokalipsi nga Los Angeles

07/12/2017 08:40

Duken si skena apokalipsi, pamjet e filmuara nga drejtuesit e mjeteve në autostradën “405” në Los Angeles, pranë zonës së Bel Air, ku rruga u rrethua nga flakët masive.

Por pamje të ngjashme shfaqen në shumë zona të Los Angeles, ndërsa zjarret më të mëdha në historinë e qytetit kanë nisur të djegin zonat e banuara dhe të rrezikojnë seriozisht jetët e njerëzve.

Indeksi i zjarreve në SHBA tregon për situatë ekstreme, nëse shifra është mbi 165, ndërkohë në Los Angeles ka shkuar në 295.

Me mijëra zjarrfikës janë angazhuar në betejën deri tani të humbur ndaj flakëve, që kanë shkrumbuar më shumë se 40 mijë hektarë pa u ndalur aspak.

Lagështira nën 10% dhe erërat e forta janë faktorët pas “sprintit” të flakëve, që tashmë kanë mbërritur në zonat e banuara dhe kanë djegur me dhjetëra shtëpi e biznese.

Me dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar, ndërsa me qindra shkolla do të qëndrojnë mbyllur deri javën e ardhshme.

Autoritetet dhanë paralajmërime edhe për zonat që nuk janë prekur nga zjarret, pasi tymi i denduar ka mbuluar sipërfaqe shumë më të mëdha sesa flakët. Mediet amerikane raportojnë se tymi i zjarreve mund të shihet edhe nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar në orbitën e Tokës.

Top Channel