Policia e Tiranës ka vënë në pranga një të shumëkërkuar, të dyshuar si organizator i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës.

Në sajë të operacionit të koduar “Myzë” është vënë në pranga M.B., 41 vjeç nga Uraka e Burrelit.

41-vjeçari ishte i shpallur në kërkim në vitit 2016, procedim i cili është ndjekur dhe bashkërenduar nga Policia e Shtetit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Më 5 tetor të një viti më parë, në bazë të një plani paraprak, policia e Matit ka ushtruar kontroll territori për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Myzë, Njësia Administrative Lis, Bashkia Mat. Gjatë operacionit u gjetën dy parcela të kultivuara me bimë narkotike ku u asgjësuan gjithsej 10 480 bimë Cannabis Sativa.

Ai ka kërcënuar Prokurorin dhe forcat e Policisë lokale. Me ndërhyrjen e FNSH-së operacioni vijoi dhe u finalizua me asgjësimin e bimëve narkotike.

Nga hetimet e kryera rezulton se ai ishte në rolin e organizatorit të grupit kriminal.

Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21.03.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, për M.B për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Top Channel