Sot përfundon mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe sipas maxhorancës së majtë, Kuvendi duhet të zgjedhë një prokuror të përkohshëm në detyrë.

Por për opozitën, zgjedhja nuk mund të bëhet. Të dyja palët debatuan në Komisionin e Ligjeve pa gjetur një pikë të përbashkët.

Mazhoranca është e vendosur që të vazhdojë me procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ashtu sikundër sugjerohet edhe nga misionet ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS.

Opozita braktisi mbledhjen e Komisionit të Ligjeve pak para se të hidhej në votim nisja e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, nisje që u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

Opozita thotë se jemi në një boshllëk ligjor e Kushtetutes dhe se dispozitat kalimtare nuk mund të ndiqen, pasi Kushtetuta prevalon mbi ligjet e tjera dhe përcakton qartë zgjedhjen e Prokurorit me 84 vota.

Pas votimit në Komisionin e Ligjeve hapet gara për emrin e ri që do të drejtojë përkohësisht organin e akuzës. Kandidatët duhet të depozitojnë CV-të në Kuvend dhe më pas ky i fundit duhet të zgjedhë njërin prej tyre, sipas kritereve të përcaktuara brenda 30 ditëve.

Top Channel