Kryeprokurori i ri, mblidhen “Ligjet”, Manja: Kuvendi të përmbushë detyrimin kushtetues

07/12/2017 11:56

Komisioni i Ligjeve ka nisur diskutimet për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, procedura që janë quajtur antikushtetuese nga opozita.

Kreu i komisionit Ulsi Manja duke iu drejtuar opozitës tha se duhet diskutim juridik, duke lënë menjanë emocionin politik.

“Në dispozitat kalimtare, të cilat janë për të zgjidhur situatën deri në konstituimin e organeve të reja, nuk ka një rregullim të posaçëm që të parashikojë ndërprerjen para mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe as zgjatjen e mandatit të tij. Ka parashikuar përfundimin e tij në afatin normal të zgjedhjes 5-vjeçare, nga ana tjetër nuk lejon fuqinë prapavepruese që parashikon mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe jurisprudenca e Gjykatës së Kuvendit, e cila e ka elaboruar qartësisht fillimin dhe përfundimin e mandatit të organeve kushtetuese”, tha Manja.

Ai argumentoi më tej se dispozitat tranzitore kanë pranuar qartësisht përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.

“Me formulimin e dispozitave tranzitore ka pranuar qartësisht përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm me plotësimin në kushte normale të këtij afati. Por ligjvënësi, me legjislacionin e ri të reformës në drejtësi ka pasur në vëmendje për të mos lejuar krijimin e një konfuzioni ligjor në rastet eventuale, si të përfundimit para afatit ashtu dhe moskrijimit në kohë të KLP-së, si organi kushtetues i ngarkuar për t’i propozuar Kuvendit kandidaturat për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Përderisa në caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, ligji nuk ka parashikuar shumicën e cilësuar po vendimmarrjen e Kuvendit me shumicë të thjeshtë është në detyrimin e Kuvendit të përmbushë misionin kushtetues që në këtë fazë të përkohshme të caktojë një nga prokurorët me më shumë eksperiencë të një prokurori të përkohshëm”, tha Manja.

Top Channel