Dhuna për Jeruzalemin, rrezikohet një intifadë e re

07/12/2017 14:45

Ashtu siç parashikohej, dhuna nuk vonoi të përfshinte Bregun Perëndimor pas vendimit të Donald Trumpit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Qindra palestinezë po protesojnë në qytetet rreth Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.

Demonstruesit dogjën postera të Trumpit e gjithashtu flamuj amerikanë dhe izraelitë. Përleshje mes forcave izraelite dhe protestuesve palestinezë u raportuan në disa zona, përfshirë pranë postbllokut izraelit në qytetin e Ramallahut.

Manifestime po zhvillohen edhe në Hebron, Ramallah, Nablus, Jenin dhe Betlehem. Trazira pati edhe jashtë portës “Damaskus” në qytetin e vjetër të Jeruzalemit.

Palestinezët bënë thirrje për një grevë të përgjithshme të enjten, e po përgatiten për protesta masive edhe ditën e premte.

Grupi ekstremist që ka lidhje me al-Kaedën, “al-Shabab” po u bën thirrje myslimanëve t’i kundërpërgjigjen me armë deklaratës së presidentit amerikan për Jeruzalemin, e të mbrojnë atë që e quajnë xhamia e shenjtë e “Al Aksës” nga pushtuesit zionistë të mbështetur nga SHBA, siç shprehen.

Të shumtë ishin ata që paralajmëruan shpërthimin e trazirave pas vendimit të Trumpit. Ish-ambasadori gjerman në Izrael, Rudolf Dressler tha për “Deutsche Welle”-n se rajoni rrezikohej nga një intifadë e re. Sipas tij, presidenti amerikan e bëri këtë hap për shkak të “injorancës” kundrejt të gjithë zërave ndërkombëtarë.

Ai kujton se intifada e dytë u shkaktua pikërisht nga vizita e ish-kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, në Malin e Tempullit.

Top Channel