Pikërisht kur në komisionin parlamentar të ligjeve po zhvillohej debati, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shpërndau deklaratën, ku mbështet pa rezerva opinionin e OPDAT dhe EURALIUS për Kuvendin.

OPDAT dhe EURALIUS flasin për një prokuror të përkohshëm që mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, minimumi 36 vota.

EURALIUS dhe OPDAT saktësojnë se Parlamenti nuk ka autoritet që të zgjasë mandatin e kryeprokurorit aktual. Duke e mbështetur këtë qëndrim të OPDATIT dhe EURALIUSIT, ambasada amerikane thotë me fjalë të tjera se pas datës 7 dhjetor Adriatik Llalla nuk duhet të qëndrojë më në detyrë.

Në shkurt të këtij viti ambasadori Donald Lu e akuzoi Adriak Llallën se pengoi reformën në drejtësi. Kurse kryeprokurori e akuzoi ambasadorin për presion ndaj organit të akuzës. Ilir Meta, asokohe kryetar i Kuvendit, mbështeti publikisht kryeprokurorin Llalla dhe në Top Story bëri këtë deklaratë: “Asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë institucionet e Shqipërisë”.

Mirëpo emri i përveçëm i Adriatik Llallës, ikën apo qëndron në detyrë derisa të zgjidhet prokurori i ri, nuk i heq gjë thelbit të debatit: kush e konstaton mbarimin e mandatit të kryeprokurorit dhe si duhet të zgjidhet i riu?

Ngërçi është krijuar sepse nuk është ngritur ende organi që, sipas Kushtetutës, duhet të konstatojë mbarimin e mandatit të kryeprokurorit dhe duhet të propozojë tre kandidatura për Kryeprokurorin e ri.

Ky organ është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, siç kemi raportuar në vazhdimësi, nuk është krijuar sepse mungon një anëtar nga shoqëria civile, ajo shoqëri civile që protestonte për reformën në drejtësi.

Pra, një anëtar i shoqërisë civile, po mban peng shtetin. Në këtë histori ajo që bie në sy është se ligjvënësi e ka parashikuar si situatë se çfarë ndodh kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur, por nuk ka parashikuar se çfarë ndodh me Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëse askush nga shoqëria civile nuk ka dëshirë të marrë pjesë në të.

Nëse Parlamenti ndjek rrugën që parashikon ligji për Prokurorinë, pra zgjedh një prokuror të përkohshëm me minimum 36 vota, siç është edhe rekomandimi i OPDAT dhe EURALIUS, kompetencat e këtij prokurori të përkohshëm janë të atilla që mund të bëjnë lëvizje prokurorësh.

Opozita ka frikë se ky prokuror i përkohshëm mund të lëvizë prokurorët që po merren tani me dosjet e ndjeshme, si Habilaj-Tahiri, etj. Çështja e kryeprokurorit të ri e ka gjetur kryeministrin Edi Rama jashtë vendit, në vizita zyrtare në Poloni e Bullgari. Ftesat publike për konsensus kryeministri i ka përligjur me integrimin.

“Ftesa ime është për një pakt kombëtar për Europën… dhe për ta shfrytëzuar këtë çështje të Prokurorit të Përgjithshëm si një pikënisje të rëndësishme duke u nisur nga fakti se pavarësisht se ne kemi mundësinë kushtetuese të një zgjedhje me shumicë të thjeshtë, të krijojmë kushtet që të kemi një zgjedhje të mirëkuptuar me opozitën dhe nga ana tjetër që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat”, u shpreh Rama.

Lulzim Basha, i cili ka një eksperiencë pozitive negociate të drejtpërdrejtë me Edi Ramën, ende nuk është përgjigjur nëse e pranon një tryezë bisedimesh. Por në rrjetin social “Facebook”, i kujton kryeministrit se i vetmi pakt për të cilin sipas tij Shqipëria ka nevojë, është kushtetuta dhe shteti ligjor.

Top Channel