Skënderbeu mbyll sot aventurën e tij në Europa League. Në Bernë, skuadra korçare do të përballet me Young Boys, në një sfidë që vërtet nuk ka peshë sa i përket kualifikimit, por eksperienca dhe statistikat pozitive, që pasohen nga vlerësime të majme financiare nga UEFA, vlejnë për të dyja klubet.

Skënderbeut do t’i mjaftojë edhe një barazim ndaj zviceranëve për të siguruar vendin e tretë në grup, ndërkohë që fitorja do të ishte “qershia mbi tortë”.

Ky është sezoni i dytë për korçarët, që marrin pjesë në fazën e grupeve të Europa League. Nëse në sezonin 2015-2016, Skënderbeu e mbylli aventurën me vetëm 3 pikë, këtë edicion gjërat shkuan edhe më mirë për të, pasi deri tani është në kuotën e 5 pikëve.

Skënderbeu, së bashku me Maccabi Tel Aviv dhe Crvena Zvezdën (Yllin e Kuq të Beogradit), janë të vetmet skuadra që mundën të kualifikohen për në fazën e grupeve të Europa League duke i kaluar të gjitha raundet kualifikuese.

Gjithashtu, kapiteni Orges Shehi ka vendosur një rekord të ri në këtë sezon të këtij aktiviteti europian, si lojtari më i madh në moshë. Në të njëjtën kohë, ai është i nënti lojtar i moshës 40-vjeçare që luan në Europa League.

Sa i përket sfidës së sotme në Bernë, Skënderbeu ka shkuar jo pa probleme. Telashet më të mëdha, Ilir Daja i ka në repartin e sulmit, pasi Soëe, Nespor dhe Dita do të mungojnë për arsye dëmtimi, ndërkohë që James nuk u pajis në kohë me vizën zvicerane, kështu që edhe ai do të mungojë.

Sfida mes Young Boys do të luhet në “Stade De Suisse” të Bernës, në orën 19:00, e do të transmetohet si gjithmonë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel