Vladimir Putin e zyrtarizon edhe publikisht faktin që do të kërkojë një tjetër mandat si president i Rusisë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Njoftimin, ai e dha gjatë një fjalimi të mbajtur para punonjësve të një fabrike automjetesh në qytetin Volga të rajonit Nizhny Novgorod.

“Po do të hedh kandidaturën time për postin e presidentit të Federatës Ruse”, tha ai.

Putin ka qenë në pushtet që prej vitit 2000, qoftë si president, ashtu edhe si kryeministër. Nëse ai fiton në zgjedhjet e marsit, ai do të shërbejë në krye të Kremlinit deri në vitin 2024.

Gazetarja televizive Ksenia Sobchak e ka zyrtarizuar prej kohësh kandidaturën e saj për të sfiduar Putinin në zgjedhjet e pranverës së 2018-s, megjithatë, sondazhet e opinionit publik tregojnë se Putin do të fitojë lehtësisht.

Kjo, sepse udhëheqësi kryesor i opozitës ruse, Alexei Navalny pengohet formalisht të kandidojë, për shkak të shpalljes fajtor për përvetësim, një akuzë që ai e quan si të motivuar politikisht.

Putin vijon të mbetet popullor mes shtetasve rusë, të cilët e shohin atë si një udhëheqës të fuqishëm që ka rikthyer pozitën globale të Rusisë pas ndërhyrjes vendimtare ushtarake në luftën civile të Sirisë, por edhe pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina.

Gjithsesi, kritikët e tij e akuzojnë se e ka rritur shumë nivelin e korrupsionit, si dhe aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, me këtë të fundit që ka marrë edhe ndëshkimin e ndërkombëtarëve.

Por kush është Vladimir Putin, spiuni që u kthye në president?

Ai është lindur më 7 tetor të vitit 1952 në Leningrad, sot Shën Pjetërburg, e ka studiuar për drejtësi përpara se t’i bashkohej KGB-së së famshme pas universitetit. Ai ka shërbyer si spiun në Gjermaninë Lindore komuniste. Disa ish-kolegë të tij në KGB kanë marrë më vonë poste të larta shtetërore gjatë epokës “Putin” të drejtimit të Federatës Ruse.

Në vitet ’90 ka qenë ndihmësi më i lartë i kryebashkiakut të Shën Pjetërburgut, Anatoly Sobchak, një profesor që i kishte dhënë mësim drejtësie, e bija e të cilit do ta sfidojë pranverën e ardhshme. Putin hyri në Kremlin për herë të parë në vitin 1997 në kabinetin e Boris Yeltsin, për t’u bërë më pas shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), e konsideruar si pasuesja e KGB-së. Pas largimit të Yeltsin në prag të Vitit të Ri 1999, ky i fundit e emëron si president në detyrë. Në mars të vitit 2000 ai fitoi lehtësisht zgjedhjet presidenciale.

Top Channel