“Njohja e Jeruzalemit, katastrofike!”

06/12/2017 14:31

Nga të gjitha çështjet që shoqërojnë konfliktin shumëvjeçar mes Izraelit dhe Palestinës, asnjë tjetër nuk është më e ndjeshme sesa statusi i Jeruzalemit.

Qyteti i shenjtë ka qenë në qendër të përpjekjeve për vendosjen e paqes për dekada me radhë.

Qasja e Donald Trumpit ndaj tij kërcënon të shkatërrojë konsensusin ndërkombëtar të arritur me aq shumë mund, në një mënyrë tepër të rrezikshme.

Izraeli e cilëson Jeruzalemin, me vende të shenjta hebraike, myslimane dhe të krishtera, si kryeqytetin e tij të përjetshëm. Por historia e tij është e lidhur pazgjidhshmërisht me konfliktin që trazon rajonin prej dekadash.

Plot 70 vite më parë, pas fundit të dhunshëm të sundimit britanik, kur OKB-ja votoi për ndarjen e Palestinës në shtete hebraike dhe arabe, Jeruzalemi u përkufizua si entitet i veçantë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Por në lufrën e 1948-s, ai u nda si Berlini gjatë Luftës së Ftohtë, në pjesën perëndimore e lindore, respektivisht nën kontrollin e izraelitëve dhe jordanezëve. 19 vite më vonë, në qershor të 1967-s, Izraeli pushtoi pjesën lindore, duke zgjeruar kufijtë e qytetit e duke e aneksuar atë, në një akt që nuk u njoh kurrë ndërkombëtarisht.

Njohja lidhet me çështje më të mëdha të territorit dhe paqes, e përplaset me kërkesat e palestinezëve që Jeruzalemi lindor të bëhet kryeqyteti i shtetit të pavarur palestinez.

Këndvështrimi i pranuar nga të gjitha administratat e mëparshme amerikane është se, statusi i qytetit duhet të diskutohet në negociata. Analistët vlerësojnë se një ndryshim në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara do të ishte katastrofik.

Top Channel