James kundër Trump, “lufta” më popullore në Twitter

06/12/2017 13:40

Lufta mes presidentit Donald Trump dhe yjeve të sportit amerikan ka qenë një nga temat më të përfolura për vitin 2017, për të cilin ka filluar numërimi mbrapsht.

Për një periudhë kohe, kreu i Shtëpisë së Bardhë pushtoi faqet e para të të përditshmeve në SHBA për reagimet e tij ndaj çështjes “Kaepernick”, sjelljes së lojtarëve të NFL-së në momentin e ekzekutimit të himnit në ndeshje dhe refuzimit të Golden State për të vizituar Shtëpinë e Bardhë.

Për këtë të fundit, Trump përdori rrjetin social “Twitter” për të shfaqur pakënaqësinë e tij ndaj një mesazhi të Stephen Curry, për dyshimet e shfaqura në lidhje me vizitën tradicionale të skuadrës kampione të NBA-së në Shtëpinë e Bardhë.

“Të shkosh në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet një nder i madh për një skuadër kampione”, shkruante Trump në “Twitter”. “Curry po heziton, kështu që ftesa për të tërhiqet”.

Një mesazh që nuk bëri gjë tjetër, veçse shtoi radhët e armiqve të Donald Trump dhe i fundit që iu shtua listës ishte LeBron James, që ia ktheu përgjigjen po në “Twitter”.

“Ti fundërrinë. Stephen Curry e kishte thënë më parë që nuk do vinte në Shtëpinë e Bardhë, kështu që nuk ekziston asnjë ftesë. Vizita në Shtëpinë e Bardhë ishte një nder i madh, deri në momentin kur në të hyre ti”, shkruante ylli i Cleveland Cavaliers në postimin e tij.

Një mesazh i fortë ky i James që u shpërnda në “Twitter” plot 661 mijë herë, duke u bërë postimi më popullor për vitin 2017 sa i përket botës sportive, si dhe i shtati për ngjarjet në të gjitha fushat në mbarë botën. Një statistikë kjo që u zbulua nga studimi i vet “Twitter”-it për mesazhet më popullore në botë.

Top Channel