Kukësi, tension për rezultatet. Protagonistët: Çështje e brendshme, debate normale

05/12/2017 20:02

Ekipi i Kukësit humbi ndeshjen e fundit në Korçë përballë Skënderbeut, duke u larguar 9 pikë nga kreu i renditjes.

“Panorama Sport” raporton për një debat të ashpër mes presidentit Safet Gjici dhe drejtuesve të tjerë të skuadrës. Sipas gazetës, presidenti ka kërcënuar me bllokim të fondit të pagave, nëse vazhdon e njëjta situatë.

Drejtori teknik, Naim Halili ka debatuar ashpër me presidentin Safet Gjici për rezultatet e dobëta të ekipit dhe ia ka faturuar ato trajnerit Mladen Milinkoviç. Ndërkohë presidenti Gjici, sipas gazetës, ka mbrojtur trajnerin dhe i ka vënë ekipit një objektiv të qartë: marrjen e 9 pikëve në 3 ndeshjet e radhës.

Top Channel iu drejtua protagonistëve për koment. Presidenti Gjici mohoi që të ketë kërcënuar me ndërprerje të pagave, apo që ngjarja të jetë zhvilluar siç e raporton “Panorama Sport”. Ai tha për Top Channel në telefon se do ta padisë gazetën për shpifje.

Të njëjtën gjë përsëriti edhe trajneri i Kukësit, Milinkoviç.

“As 10% e atyre që janë shkruar në gazetën Panorama Sport nuk është e vërtetë dhe kjo është e disata herë që ndodh. Për këtë arsye, ne kemi marrë masat me avokatin tonë për ta paditur. Nuk mundet asnjë gazetar dhe asnjë gazetë të më ulë personalitetin. Në atë pjesë në gazetë, ku thuhet menaxher Halili, ju siguroj se po të kishte thënë një fjalë të vetme nga ato, unë do të kisha ikur”, shprehet trajneri Milinkoviç.

Kryeredaktori i “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj i qëndron versionit të publikuar në gazetë.

“Panorama Sport është gazeta më e madhe dhe më e besueshme në vend për shkak të seriozitetit të saj. Sigurisht që gjithçka është publikuar është e vërtetë. Trajneri i Kukësit mund të ketë pretendimet e veta dhe është e drejtë e tij. Ajo që mund të themi ne është që kemi qenë seriozë në trajtimin e lajmit nga disa burime, jo vetëm nga një. Kemi edhe materiale të tjera të papublikuara ende, të cilat mund t’i publikojmë gjatë ditëve të ardhshme”, shprehet kryeredaktori i gazetës.

Kapiteni Ylli Shameti e pranon debatin, por e cilëson normal në një kohë krize rezultatesh për ekipin.

“Unë e kam ndjekur nëpërmjet medias këtë situatë. Unë di që gjithmonë debatet brenda familjes janë konstruktive, për të mirën e punës. Nuk është se ka ndonjë situatë kaq alarmante sa shfaqet në media”, deklaroi kapiteni i ekipit të Kukësit, Shameti.

Por drejtori teknik, Naim Halili na pohoi se marrëdhënia e tij me presidentin Gjici nuk është aspak e mirë në këto momente. Ai thotë se mund të qëndrojë larg skuadrës deri në largimin e trajnerit Milinkoviç.

Top Channel